Aborti është një mënyrë e sigurt për t’i dhënë fund shtatzënisë. Por aborti nuk duhet të përdoret si zëvendësim i kontracepsionit.
Sipas ligjit ekzistues për ndërprerjen e shtatzënisë në vendin tonë, çdo grua ka të drejtë të abortojë me kërkesë personale deri në javën e 22-të të shtatzënisë. Ndërprerja më e hershme e shtatzënisë së paplanifikuar do të thotë më pak efekte anësore të padëshirueshme dhe shërim më të shpejtë.
Ju keni të drejtë të merrni këtë shërbim shëndetësor:
- Pa këshillim të plotësuar. Megjithatë, nëse keni nevojë për këshillim, keni të drejtën për këshillim objektiv që bazohet në fakte shkencore dhe jo në bindjet personale të gjinekologut;
- Pa pritje. Aborti duhet t’ju sigurohet në kohë dhe pa vonesë, në afat prej maksimum tre ditësh nga dita e paraqitjes së kërkesës për abort në institucionin shëndetësor;
- Pavarësisht mendimit të gjinekologut apo edhe të një specialisti të dytë madje edhe nëse jeni duke kërkuar një abort pas javës së 12-të të shtatzënisë, dhe jo më vonë se java e 22-të e shtatzënisë;
- Pa bashkangjitur dokumentacion shtesë nga Prokuroria Publike, Policia ose Qendra për punë sociale nëse kërkesa për abort është për shkak të rrethanave socio-ekonomike ose për shkak të dhunës seksuale.
- Madje edhe nëse jeni e mitur. Me atë që, për të kryer një abort në këtë rast, prindi/kujdestari juaj duhet të nënshkruajë një pëlqim të informuar. E njëjta gjë vlen edhe për vajzat/gratë të cilave u është hequr aftësia për punë.
Ju mund të zgjidhni të ndërprisni shtatzëninë në mënyrë kirurgjike ose me medikamente.
Aborti kirurgjik është i disponueshëm në të gjitha objektet shëndetësore të nivelit sekundar dhe terciar ku ka departament gjinekologjiko-obstetrik, publik dhe privat. Ky shërbim shëndetësor nuk tarifohet vetëm nëse aborti është për arsye mjekësore (keqformime të fetusit ose sëmundje të caktuara të nënës).
Kur është me kërkesë personale, në spitalet shtetërore ky shërbim shëndetësor paguhet nga 5.000 deri në 14.500 denarë, varësisht nga tremujori në të cilin kryhet. Në të njëjtën kohë, duhet të keni parasysh që çmimi është i ndryshëm nga spitali në spital (varësisht nëse është shtetëror apo privat, por ka diferenca çmimesh edhe midis vetë spitaleve shtetërore).
Aborti me medikamente (aborti mjekësor) është i disponueshëm vetëm në Klinikën Universitare për Gjinekologji dhe Obstetrikë në Shkup. Në varësi të tremujorit në të cilin kryhet, ky shërbim shëndetësor paguhet nga 5.000 deri në 13.500 denarë.
Përgjigjet e pyetjeve më të zakonshme në lidhje me abortin mjekësor do ti gjeni.
Në të njëjtën kohë, duhet të dini se:
- Aborti nuk zvogëlon shanset për shtatzëni në të ardhmen.
- Aborti nuk rrit rrezikun nga paraqitja e kancerit.
- Mund të rifilloni marrëdhëniet seksuale kur të ndiheni gati – pavarësisht nëse aborti ishte kirurgjik apo mjekësor.
Sapo të rifilloni marrëdhëniet seksuale, sigurohuni që të përdorni kontracepsion modern. Ashtu si me të gjitha aspektet e tjera që lidhen me shëndetin seksual dhe riprodhues, për kontracepsionin rekomandohet konsultimi me gjinekologun ose mjekun e familjes.