Search
Kontracepsioni i disponueshëm

Çfarë është?

Ai mbulon një sërë metodash të ndryshme kontracepsioni që nuk përfshijnë metoda hormonale ose penguese:

  1. Amenorrea laktacionale
  2. Metodë e bazuar në ditët pjellore
  3. Metoda e matjes së temperaturës së trupit
  4. Metoda e monitorimit të mukusit të qafës së mitrës
  5. Metoda e ndërprerjes së marrëdhënies

Si funksionon?
Metodat që lidhen me ditët pjellore, matjen e temperaturës së trupit dhe monitorimin e mukusit të qafës së mitrës funksionojnë në mënyrë që në nivel të përditshëm një grua monitoron dhe regjistron shenjat dhe simptomat e ndryshme të fertilitetit gjatë ciklit menstrual në mënyrë që të planifikojë ose shmangë shtatzëninë.

Metoda e laktacionit është e përkohshme dhe funksionon për sa kohë që nëna ushqen ekskluzivisht me gji dhe nuk ka pasur periodat pas lindjes. Metoda e marrëdhënies së ndërprerë ka të bëjë me heqjen e penisit nga vagina para se të ndodhë ejakulimi.

Efikasiteti
Në përdorim ideal, efikasiteti është i lartë. Kjo nënkupton përdorim korrekt, përkushtim të madh dhe praktikë më të gjatë përdorimi.

Sa kushton?
Është falas

Info plus
Nuk ka efekte anësore në shëndetin fizik;Shenjat e fertilitetit mund të luhaten për shkak të sëmundjes, stresit ose udhëtimit

Dëshiron të dish më shumë? Vazhdo të lexosh.
Nëse keni çfarëdo qoftë pyetje, na shkruani këtu.

Shkurtimisht

  • Efikasiteti ndryshon varësisht prej metodës
  • Është falas
  • Duhen 3-6 cikle menstruale për të mësuar ta përdorni siç duhet
  • Nuk mbron nga infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST)

Pyetjet e bëra më shpesh

Sa efektiv është kontracepsioni tradicional?

Efektiviteti i metodave të ndryshme të kontracepsionit tradicional ndryshon në varësi të metodës së zgjedhur, por edhe në varësi të përkushtimit dhe këmbënguljes. Kjo është arsyeja pse kontracepsioni modern është shumë më efektiv në parandalimin e shtatzënisë së paplanifikuar.

Cilat janë avantazhet?
  • Nuk ka efekte anësore;
  • Është falas dhe nuk ka kosto shtesë;
  • Është e pranueshme për të gjitha besimet dhe kulturat;
  • Shumica e vajzave dhe grave mund ta përdorin atë;
  • Pasi të keni zotëruar metodën, nuk ka nevojë për konsultime shtesë me gjinekologun;
  • Mund të përdoret për të planifikuar ose shmangur shtatzëninë;
  • Nuk përfshin produkte hormonale ose barriere;
  • Mund të kontribuojë në afrimin dhe besimin më të madh me partnerin sepse edhe ai mund të përfshihet në proces.
Cilat janë disavantazhet?
  • Nuk mbron nga infeksionet seksualisht të transmetueshme;
  • Gjatë ditëve pjellore, duhet abstenuar nga marrëdhëniet seksuale ose të përdoret një lloji tjetër kontracepsioni (p.sh. prezervativi);
  • Nëse nuk përdoret si duhet, mund të jetë shumë më pak efektive se metodat e tjera të kontracepsionit;
  • Kërkon përkushtim dhe praktikë;
  • Mund t’ju duhen disa cikle menstruale përpara se të jeni të sigurt se keni mësuar saktë të përcaktoni “ditët tuaja pjellore”. Deri atëherë, rekomandohet përdorimi i kontracepsionit pengues (p.sh. prezervativi);
  • Simptomat e fertilitetit duhet të monitorohen dhe regjistrohen rregullisht;
  • Sëmundja, stresi ose udhëtimi mund të ndikojnë në simptomat e fertilitetit;
  • Nëse keni nevojë të merrni kontracepsion urgjent, do t’ju duhet të prisni derisa të kenë kaluar dy cikle të plota menstruale përpara se të mund të mbështeteni në efektivitetin e kontracepsionit tradicional.
Kush mund të përdorë kontracepsionin tradicional?

Shumica e vajzave dhe grave mund ta përdorin atë. Por, do të duhet të mendoni për tjera metoda kontracepsioni nëse:

  • Keni perioda të parregullta;
  • Keni një infeksion seksualisht të transmetueshëm ose inflamacion të legenit që mund të ndikojë në simptomat e fertilitetit;
  • Мerrni barna që ndikojnë në sekretimin e mukusit të qafës së mitrës;
  • Para do kohe keni ndërprerë marrjen e kontracepsionit hormonal;
  • Para do kohe keni bërë një abort;
  • Para do kohe keni lindur dhe ushqeni me gji;
  • Shpesh udhëtoni në zona të ndryshme kohore;
  • Nuk mund të matni temperaturën e trupit siç rekomandohet;
  • Konsumoni një sasi të madhe alkooli.
Si funksionon metoda e amenorresë laktacionale?

Kjo është një metodë e përkohshme kontracepsioni për nënat e reja që nuk kanë ende menstruacione pas lindjes dhe që ushqejnë vetëm me gji (fëmija nuk duhet të ushqehet me formula qumështi ose ushqim të ngurtë dhe është më i vogël se 6 muajsh). Nëse plotësohen kushtet, efikasiteti është 98% në 6 muajt e parë pas lindjes. Efektiviteti i tij zvogëlohet me zvogëlimin e ushqyerjes me gji (p.sh. tek foshnjat ushqimi i të cilave plotësohet me formulë ose që i janë futur ushqimit të ngurtë). Fertiliteti kthehet menjëherë pas ndërprerjes së metodës.

Si funksionon metoda e bazuar në ditët pjellore?

Kjo është një metodë që tregon se në cilat ditë të ciklit menstrual ka një probabilitet të vogël (ose më të ulët) për të mbetur shtatzënë. Ka disa metoda për përcaktimin e ditëve pjellore (metoda kalendarike e bazuar në gjatësinë e ciklit menstrual, matja e temperaturës bazale të trupit, kontrollimi i mukusit të qafës së mitrës). Në ditët infertile, mundësia për të mbetur shtatzënë është e ulët, ndërsa në ditët pjellore mundësia për të mbetur shtatzënë është e lartë, ndaj duhet të përdorni një metodë tjetër kontracepsioni ose të abstenoni nga marrëdhëniet seksuale. Në përdorim ideal, efikasiteti është 99%, por në përdorim normal, efikasiteti është 78%.

Si ta di kur janë "ditët e mia pjellore"?

Një pjesë e mirë e vajzave dhe grave nuk e dinë se në cilën pjesë të ciklit menstrual janë “më pjellore” (dmth. më shumë gjasa për të mbetur shtatzënë). Cikli menstrual zgjat nga dita e parë e menstruacioneve deri në ditën e parë të menstruacioneve të ardhshme. Kjo periudhë zakonisht zgjat 28 ditë, por është mjaft e zakonshme të zgjasë më pak ose më shumë (21 deri në 40 ditë).

Gjatë ciklit, vezoret lëshojnë një qelizë vezë që udhëton nëpër vezëpërçuesit. Për shumicën e vajzave dhe grave, kjo ndodh 12-16 ditë para gjakderdhjes menstruale. Periudha rreth ovulacionit është periudha më pjellore e ciklit menstrual. Për shumicën e grave kjo periudhë ndryshon nga muaji në muaj. Se sa zgjat periudha gjatë së cilës ato mund të mbeten shtatzënë varet nga shumë faktorë të jashtëm që nuk mund të kontrollohen gjithmonë (p.sh. stresi, sforcimi i tepërt fizik, udhëtimet, sëmundjet).

Për ata që bëjnë ciklin çdo 28 ditë, ovulacioni zakonisht ndodh rreth ditës së 14-të. Qeliza vezë që lëshohet zakonisht jeton 12-24 orë, që do të thotë se që të ndodhë shtatzënia, një spermatozoid duhet të fekondojë qelizën vezë brenda dy ditëve të para pas ovulacionit. Por duke qenë se spermatozoidet (qelizat seksuale mashkullore) mund të jetojnë në trupin e një gruaje deri në 5 ditë, ju mund të mbeteni shtatzënë edhe nëse keni pasur marrëdhënie seksuale 7 ditë para ovulacionit. Me fjalë të tjera, duke folur teorikisht, ju mund të mbeteni shtatzënë 7-10 ditë në muaj (e ashtuquajtura periudha e “ditëve pjellore”).

Për shumicën e vajzave dhe grave, kohëzgjatja e ciklit menstrual ndryshon nga muaji në muaj, duke e bërë më të vështirë përcaktimin e ditëve “pjellore”. Kohëzgjatja e ciklit tuaj menstrual është një mënyrë për të përcaktuar ditët tuaja pjellore. Një mënyrë tjetër është matja ditore e temperaturës së trupit ose monitorimi i ndryshimeve në mukozën nga qafa e mitrës. Për të marrë vlerësimin më të saktë të mundshëm, është mirë që të merren parasysh të tre parametrat.

Si funksionon metoda e matjes së temperaturës së trupit?

Kjo metodë bazohet në faktin se pas ovulacionit, temperatura e trupit rritet. Një grua duhet të masë temperaturën e saj çdo mëngjes para se të dalë nga shtrati. Idealisht, duhet ta matni çdo mëngjes në të njëjtën kohë, përpara se të hani, të pini ose të pini duhan. Për saktësi më të madhe, rekomandohet përdorimi i një termometri dixhital.

Duhet të monitorohet dhe të regjistrohet nëse temperatura është ngritur me 0,2-0,5 °C. Nëse ka rritje të temperaturës për tre ditë rresht, krahasuar me gjashtë ditët e mëparshme, atëherë kjo është një shenjë se ovulimi (dmth “ditët pjellore”) ka kaluar, që do të thotë se mund të bëni seks deri në menstruacionet e ardhshme. Kur përdoret si duhet, kjo metodë mund të ketë një efikasitet deri në 99%, por në praktikë, përqindja e efikasitetit është zakonisht më e ulët.

Si funksionon metoda e monitorimit të mukusit të qafës së mitrës?

Gjatë ciklit menstrual, sasia dhe struktura e sekrecioneve vaginale (d.m.th., mukusit të qafës së mitrës) ndryshon. Ndërsa nivelet e hormoneve rriten për të përgatitur trupin për të lëshuar një vezë, ju mund të ndjeni mukozën që del e lagësht, ngjitëse, e bardhë, me një strukturë kremoze. Ky është fillimi i periudhës pjellore të ciklit menstrual.

Menjëherë para ovulacionit, mukoza do të bëhet edhe më e lagësht, më e rrëshqitshme dhe më e pastër – si e bardha e vezës. Kjo është një shenjë se jeni në “ditët tuaja pjellore”. Ndërsa kalojnë, mukoza do të bëhet më e trashë dhe më ngjitëse, dhe pas tre ditësh nuk duhet të jeni më pjellore, që do të thotë se mund të keni marrëdhënie seksuale.

Si funksionon metoda e ndërprerjes së marrëdhënieve?

Kjo është metoda më e vjetër e kontracepsionit. Ka të bëjë me heqjen e penisit nga vagina para se të ndodhë ejakulimi. Kjo metodë mbron nga shtatzënia e paplanifikuar sepse, nëse përdoret në mënyrë të drejtë, parandalon kontaktin e spermës me traktin gjenital të gruas dhe si rrjedhojë fekondimin e vezës.

Mesatarisht, efikasiteti është rreth 78%. Që ajo të jetë sa më efektive, partnerët duhet t’i besojnë njëri-tjetrit, veçanërisht pasi burrat nuk mund të kontrollojnë gjithmonë saktësisht kur ejakulojnë. Efikasiteti zvogëlohet nëse përdoren alkool dhe/ose substanca psikodelike të cilat ndikojnë në vetëkontrollin. Një pjesë e madhe e shtatzënive (që më pas mund të përfundojnë me abort) ndodhin për shkak të shkallës më të lartë të dështimit të kësaj metode në krahasim me metodat moderne të kontracepsionit.

A mbron kontracepsioni tradicional nga infeksionet seksualisht të transmetueshme?

Jo, mbron vetëm nga shtatzënia e paplanifikuar. I vetmi kontraceptiv që mbron edhe nga shtatzënia e paplanifikuar edhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme është prezervativi.

Scroll to Top