Search
Kontracepsioni i disponueshëm

Çfarë është?
Një mbështjellës elastik i bërë nga një lateks (gomë) shumë i hollë, i përshtatshëm për madhësinë e penisit

Si funksionon?
Mekanikisht parandalon që spermatozoidet të arrijnë vezën dhe ta fekondojnë atë

Si përdoret?
Vendoset në penisin në ereksion, para fillimit të marrëdhënieve seksuale, ja kështu

Efikasiteti
98% efektiv kur përdoret në mënyrë të drejtë dhe me çdo marrëdhënie seksuale
85% efektiv në të gjitha rastet e tjera

Sa kushton?
110 denarë/paketë me 3 prezervativë
260 den/paketë me 6 prezervativë
390 den/paketë me 12 prezervativë
*Nuk mbulohet nga sigurimi shëndetësor

Ku mund të merret?
Në shumë pika të ndryshme në të gjithë vendin: barnatore, supermarkete, pompa të benzinës, etj. Falas në Qendrat rinore “Dua të di” në Shkup.

Info plus
Gjithashtu mbron nga infeksionet seksualisht të transmetueshme, përfshirë HIV-in

Dëshiron të dish më shumë? Vazhdo të lexosh.
Nëse keni çfarëdo qoftë pyetje, na shkruani këtu.

Shkurtimisht

  • 98% efikasitet
  • Kushton 110 denarë/paketë me 3 prezervativë
  • Gjerësisht i disponueshëm në Maqedoni
  • Nuk kërkohet recetë
  • Mbron nga infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST)

Pyetjet e bëra më shpesh

Si të përdorni saktë prezervativin?

Për të qenë në gjendje të përshtatet siç duhet, prezervativi mashkullor duhet të vendoset në penisin e ngritur (ndërsa ai është në ereksion), përpara fillimit të marrëdhënieve seksuale. Ja se si:

  • Hapeni paketimin me kujdes dhe nxirreni prezervativin. Kini kujdes që të mos e dëmtoni me thonjtë apo bizhuteritë tuaja. Assesi mos e grisni paketën me dhëmbë.
  • Ana e lyer me yndyrë është gjithmonë nga jashtë. Gjatë vendosjes, shtypni prezervativin në pjesën e sipërme të rezervuarit dhe filloni të hapni unazën.
  • Prezervativi vendoset në një penis në ereksion. Tërhiqeni gradualisht prezervativin deri në rrënjën e penisit, shtrydhni ajrin e mbetur dhe rrafshoni palosjet. Për të zvogëluar shanset e plasjes së prezervativit, mund të përdorni një lubrifikant me bazë uji ose silikoni.
  • Pas derdhjes (ejakulimit), mbajeni me kujdes prezervativin në mënyrë që sperma të mos rrjedhë jashtë.
  • Hidheni prezervativin e përdorur në koshin e plehrave. Mos e hidhni në tualet.
  • Për ta bërë më të qartë, mund ta shikoni edhe këtë video.
Po sikur prezervativi të griset gjatë seksit?

Ndodh edhe ajo. Ndodh edhe të rrëshqasë. Së pari, merrni frymë thellë. Nëse nuk dëshironi të mbeteni shtatzënë dhe mendoni se sperma ka hyrë në vaginë, duhet të merrni kontracepsion emergjent. Sa më shpejt ta merrni, aq më mirë, por dijeni se duhet ta merrni jo më vonë se 72 orë pas seksit të pambrojtur. Mund ta blini me recetë nga një gjinekolog.

Në të njëjtën kohë, ju rekomandojmë që të testoheni për infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST). Mund të shkoni te gjinekologu amë ose dermatovenerologu. Nëse vini nga një grup qytetarësh të përjashtuar nga shoqëria, mund të merrni kontracepsionin urgjent falas dhe testimin të IST falas në Qendrat rinore “Dua të di” në Shkup.

Sa është efektiv?

Nëse e përdorni siç duhet dhe para çdo marrëdhënieje seksuale, prezervativi është 98% efektiv në parandalimin e shtatzënisë së paplanifikuar.
Përveç asaj, gjithashtu mbron edhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme.

Para se të vendosni prezervativin, kini kujdes që të mos prekni zonën gjenitale të partneres suaj – lëngu paraspermik mund të dalë nga penisi para derdhjes (ejakulimit). Nëse kjo ndodh ose nëse sperma hyn në vaginën e partneres suaj gjatë seksit të mbrojtur vaginal, mund t’ju duhet një kontracepsion emergjent. Në një rast të tillë, rekomandohet të bëni një test për infeksionet seksualisht të transmetueshme.

Cilat janë avantazhet e prezervativit mashkullor?

Avantazhi i tij kryesor është se mbron nga shtatzënia e paplanifikuar dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme! Plus:

  • Është e lehtë për ta përdorur, edhe atë vetëm gjatë marrëdhënieve seksuale;
  • Është i përshtatshëm edhe për seks të paplanifikuar;
  • Mund të merret në shumë vende (barnatore, markete, qendra rinore);
  • Nuk ka nevojë të konsultoheni me një mjek apo profesionist shëndetësor;
  • Zakonisht nuk ka asnjëfarë efektesh anësore.
A ka efekte anësore?

Më së shpeshti nuk ka. Disa njerëz janë alergjikë ndaj lateksit, kështu që këshillohet përdorimi i prezervativëve poliuretan ose poliizopren të cilët janë antialergjikë.

Ku mund të blej një prezervativ?

Pothuajse kudo – në barnatore, supermarkete, dyqane më të vogëla, në pompa të benzinës…, kushtojini vëmendje kushteve në të cilat ruhen (p.sh. a janë të ekspozuara ndaj dritës së drejtpërdrejtë).

Sa kushton?

Mesatarisht, një prezervativ mashkullor kushton nga 110 denarë për një paketë me 3 prezervativë deri në 390 denarë për një paketë me 12 prezervativë.

Përndryshe, është në dispozicion falas për grupet e qytetarëve të margjinalizuar në shoqëri në Qendrat rinore “Dua të di” në Shkup.

A është e detyrueshme konsulta e mjekut?

Jo. Ju mund ta përdorni vetë prezervativin. Nuk keni nevojë të konsultoheni me një gjinekolog apo dermatovenerolog, por nëse keni nevojë, mos ngurroni ta pyesni për gjithçka që dëshironi.

Kush mund ta përdorë atë?

Shumica e njerëzve mund ta përdorin prezervativin në mënyrë të sigurtë, por kjo nuk do të thotë se prezervativi është kontraceptivi më i përshtatshëm për të gjithë. Disa njerëz janë alergjikë ndaj lateksit, ndaj këshillohet përdorimi i prezervativëve poliuretan ose poliizopren.

Si mund ta di që nuk është dëmtuar?

Ju mund ta përdorni prezervativin lirisht nëse:

  • Ende vlen afati i përdorimit;
  • Paketimi nuk është i dëmtuar (p.sh. nuk ka ajër brenda);
  • Paketimi ka shenjën CE.
A duhet të përdor lubrifikant me prezervativin?

Prezervativët janë të lyer me lubrifikant për përdorim më të lehtë, por mund të përdoret edhe lubrifikant shtesë. Kjo rekomandohet veçanërisht nëse përdoret për seks anal, për të zvogëluar rrezikun e grisjes së prezervativit.

Mund të përdoret çfarëdo qoftë lubrifikanti me prezervativët poliuteranë që nuk janë prej lateksi. Nëse përdorni një prezervativ latex ose poliizopren, atëherë mos përdorni lubrifikantë me bazë vaji – të tilla si losione, vajra për trupin ose vazelinë – pasi këto mund të bëjnë që prezervativi të griset më lehtë.

Shmangni përdorimin e prezervativëve të lyer me spermicid ose përdorimin e spermicidit si lubrifikant pasi kjo do të rrisë shanset tuaja për të marrë një infeksion seksualisht të transmetueshëm.

A është në rregull që e mbaj në xhepin e pantallonave?

Jo në të vërtetë. Nxehtësia, lagështia, fërkimi, drita dhe objektet e mprehta (p.sh. çelësat) mund të ndikojnë në cilësinë e prezervativit dhe në këtë mënyrë të ulin efektivitetin e tij. Pra, mos e mbani në xhepin e pantallonave apo portofolin tuaj. Mund ta mbani, për shembull, në xhepin e përparmë të këmishës ose në një kuti metalike.

Sa kohë mund ta përdor prezervativin?

Prezervativi mund të përdoret vetëm një herë. Para çdo marrëdhënie seksuale, përdorni një prezervativ të ri.
Prezervativët kanë një datë skadence të printuar në vetë paketimin. Kini kujdes të mos përdorni prezervativë të skaduar.
Përdorni gjithmonë një prezervativ me shënimin CE ose UKCA në paketim. Kjo do të thotë se prezervativi është testuar sipas standardeve më të larta të sigurisë.

Ndihem më mirë pa prezervativ. Çajre?

Nuk ka kuptim seksi nëse nuk kënaqeni, por a ka kuptim seksi nëse infektoheni më vonë?

Ka prezervativë në ngjyra, forma dhe madhësi të ndryshme. Është e rëndësishme të jeni rehat gjatë marrëdhënies seksuale, kështu që mund t’ju duhet të provoni disa brende derisa të gjeni atë që funksionon më mirë për ju. Me përjashtim të abstinencës, prezervativi është ende mënyra më efektive e mbrojtjes kundër infeksioneve seksualisht të transmetueshme dhe shtatzënisë së paplanifikuar. Plus, le të jemi të sinqertë: sa më i ulët të jetë rreziku, aq më e madhe është kënaqësia!

Shoku im përdor dy prezervativë njëherësh, për mbrojtje të dyfishtë. A ka të drejtë?

Jo. Përdorimi i dy prezervativëve në të njëjtën kohë, njëri mbi tjetrin, vetëm rrit mundësinë e grisjes së prezervativëve sepse ka më shumë fërkime. Mjafton të përdorni një prezervativ si duhet. Përndryshe, mënyra më efektive për të parandaluar një shtatzëni të paplanifikuar është përdorimi i një kontraceptivi pengues (prezervativi) dhe kontracepsioni oral.

A duhet të përdor prezervativ kur partneri im ka menstruacione?

Sigurisht! Sa herë që bëni seks të pambrojtur, ekziston rreziku i shtatzënisë së paplanifikuar dhe infeksioneve seksualisht të transmetueshme.
Kjo mund të ndodhë pavarësisht nëse është marrëdhënia juaj e parë, nëse është gjatë menstruacioneve, nëse shmangni disa pozicione seksuale apo nëse bëni dush pas marrëdhënies. Gjatë menstruacioneve është edhe më e lehtë të transmetohen infeksionet, ndaj përdorni çdo herë prezervativ.

A duhet të përdorë prezervativ partneri im nëse unë marr kontraceptiv oral?

Sigurisht! A e dini pse? Sepse kontracepsioni oral mbron vetëm nga shtatzënia e paplanifikuar, jo nga infeksionet seksualisht të transmetueshme.
Vetëm prezervativi mbron nga të dyja!

A mund të mbetem shtatzënë nëse partneri im përdor prezervativ?

Kur e përdorni siç duhet çdo herë që keni seks vaginal, shanset për të mbetur shtatzënë janë shumë, shumë të vogla. Asnjë kontraceptiv nuk ofron mbrojtje 100%, por me përdorim të drejtë të kontracepsionit modern, ju keni një shans shumë më të madh për të shijuar seksin pa frikë nga një shtatzëni e paplanifikuar, sesa nëse përdorni kontracepsionin tradicional.

A mbron prezervativi nga infeksionet seksualisht të transmetueshme?

Po, prezervativi është i vetmi kontraceptiv modern që mbron si nga shtatzënia e paplanifikuar ashtu edhe nga infeksionet seksualisht të transmetueshme. Lajmi i mirë është se ai është gjithashtu i disponueshëm te ne, pothuajse në çdo hap!

A mund të përdoren në kombinim me një kontraceptiv tjetër?

Po. Mund të përdoret në kombinim me kontracepsionin oral për mbrojtje shtesë (të dyfishtë).

A mund të blej një prezervativ nëse jam nën 18 vjeç?

Po. Mundet. Prezervativët nuk kërkojnë recetën e mjekut.

Scroll to Top