Search
Kontracepsioni i disponueshëm

Çfarë është?
Një pajisje e vogël plastike në formën e shkronjës T. Mund të jetë e mbuluar me bakër ose argjend ose të përmbajë një hormon. Njihet gjithashtu si një pajisje intrauterine.

Si funksionon?
Mekanikisht parandalon që qeliza vezë të arrijë në zgavrën e mitrës. Plus, bakri dëmton spermatozoidet dhe qelizën vezë, kështu që fekondimi i vezës nuk mund të ndodhë.

Si përdoret?
Vendoset në brendësi të mitrës vetëm nga një profesionist (specialist-gjinekolog).

Efikasiteti
Mbi 99% kur vendoset siç duhet

Sa kushton?
Spirale bakri: 3100-3600 den.
Spirale argjendi: rreth 5000 den.
Spirale hormonale (Mirena): 6700-7500 den.
*Nuk mbulohet nga sigurimi shëndetësor

Ku mund të merret?
Në barnatore, vetëm me recetë të mjekut specialist-gjinekolog ose mjekut amë;
Është në dispozicion pa pagesë për grupet e qytetarëve të përjashtuar nga shoqëria në Qendrat rinore “Dua të di” në Shkup, pas kontrollit paraprak te gjinekologu i tyre.

Info plus
Mbron menjëherë nga shtatzënia e paplanifikuar dhe mund të përdoret edhe gjatë ushqyerjes me gji.

Dëshiron të dish më shumë? Vazhdo të lexosh.
Nëse keni çfarëdo qoftë pyetje, na shkruani këtu.

Shkurtimisht

  • Mbi 99% efikasitet
  • Çmimi i ndryshëm për lloje të ndryshme të spiraleve
  • Në dispozicion në Maqedoni
  • Kërkohet një recetë
  • E vendos vetëm gjinekologu
  • Nuk mbron nga infeksionet seksualisht të transmetueshme (IST)

Pyetjet e bëra më shpesh

Cilat janë avantazhet e spirales?
  • Mbron nga shtatzënia menjëherë pas aplikimit;
  • Nuk kërkon ndonjë angazhim shtesë;
  • Lejon spontanitet gjatë aktit seksual;
  • Mund të përdoret më së herëti edhe 6 javë pas lindjes;
  • Ndryshohet çdo disa vjet (midis 5 dhe 10 vjetësh, në varësi të prodhuesit), pa humbur efikasitetin;
  • Mund të hiqet në çdo kohë dhe fertiliteti kthehet menjëherë më pas;
  • Mund të përdoret nga nënat me gji dhe gratë që nuk mund të përdorin kontracepsionin hormonal;
  • Spiralja hormonale zvogëlon kohëzgjatjen dhe sasinë e menstruacioneve;
  • Efikasiteti nuk bie nëse përdorni barna.
Cilat janë disavantazhet e spirales?
  • Nuk mbron nga infeksionet seksualisht të transmetueshme;
  • Ekziston një shans i vogël që të bjerë ose të zhvendoset (nëse ndodh, kjo ndodh në ditët e para);
  • Në disa gra, në 2-3 muajt e parë spiralja prej bakri/argjendi mund të shkaktojë menstruacione më të rënda dhe më të gjata dhe dhimbje më të forta menstruale;
  • Në fillim mund të shkaktojë shqetësim që mund të lehtësohet me pilula kundër dhimbjes;
  • Ka shumë pak mundësi për të dëmtuar mitrën gjatë vendosjes;
  • Spiralja hormonale mund të shkaktojë menstruacione të parregullta, ndryshime të humorit, probleme me lëkurën, shtim në peshë ose ndjeshmëri të gjoksit;
  • Në rastin e një infeksioni seksualisht të transmetueshëm të patrajtuar, mund të ndodhë sëmundje inflamatore e legenit.
Cili është dallimi midis një spiralje bakri/argjendi dhe një spiralje hormonale?

Në thelb, të dyjat janë kontraceptivë shumë efektivë afatgjatë. Spiralja hormonale është pak më efektive (99.8% kundrejt 99.2% për atë prej bakri/argjendi).

Nga ana tjetër, një spirale prej bakri/argjendi mund të zgjasë diku nga 5 deri në 10 vjet, ndërsa ajo hormonale zakonisht ka një jetëgjatësi prej 3 deri në 5 vjet (në të dyja rastet, kjo varet nga prodhuesi).

Spiralja prej bakri/argjendi nuk përmban hormone – është bakri/argjendi ai që shkatërron spermatozoidet dhe vezën. Nga ana tjetër, spiralja hormonale përmban një sasi të vogël progestogjeni që lirohet në sistemin riprodhues; trash murin e mitrës dhe parandalon që spermatozoidet të hyjnë në mitër dhe të fekondojnë vezën.

Një spirale hormonale mund të zvogëlojë dhimbjen dhe gjakderdhjen menstruale, por në fillim (3-6 muajt e parë) mund të shkaktojë njolla midis periodave, të ndalojë fare periodat ose të shkaktojë akne. Spiralet e bakrit dhe argjendit nuk përmbajnë hormone, kështu që nuk ka rrezik për puçrra fytyre, por ato mund të shkaktojnë perioda më të rënda ose më të pakëndshme. Me të dyja, ekziston një rrezik shumë i vogël që ato të zhvendosen, trupi ti largojë ato ose të dëmtojnë mitrën.

A dhemb? A do ta ndjej në jetën e përditshme?

Është normale të ndjeni siklet të lehtë në fillim, për të cilën mund t’ju duhet të merrni një pilulë dhimbjeje. Në 2-3 muajt e parë, derisa të mësohet organizmi, mund të ketë perioda më të rënda dhe më të gjata dhe dhimbje më të forta menstruale. Ju gjithashtu mund të keni gjakderdhje midis periodave. E gjithë kjo është e pritshme, por në çdo rast mund të konsultoheni me gjinekologun tuaj.

Gjinekologu do t’ju tregojë gjithashtu se si të kontrolloni nëse spiralja është mirë e vendosur. Nëse ndodh të bjerë nga mitra ose të jetë e zhvendosur, shkoni menjëherë për një ekzaminim.

Pasi trupi të mësohet me spiralen, ajo nuk duhet t’ju lëndojë apo shqetësojë gjatë ditës.

Kush mund të përdorë një spirale?

Spirale mund të përdorin të gjitha vajzat dhe gratë që kanë mitër. Këtu përfshihen ato që nuk kanë qenë kurrë shtatzëna, të rinjtë dhe personat që jetojnë me HIV. Mund të përdoret gjithashtu nga ata që nuk e pëlqejnë kontracepsionin oral (p.sh. për shkak të migrenës).

Ju mund të përdorni një spirale 4 javë pas lindjes (pavarësisht nëse ishte vaginale apo cezariane). Spiralja nuk ndikon në ushqyerjen me gji. Një spirale mund të vendoset menjëherë pas një aborti (spontan ose sipas kërkesës). Nëse vendosni një spirale pas moshës 40 vjeçare, ajo mund t’ju mbrojë në mënyrë efektive deri në menopauzë.
Para se të vendosni nëse një spirale është e duhura për ju, medoemos konsultoheni me gjinekologun tuaj. Gjithashtu informojeni nëse keni pasur ndonjë sëmundje ose operacion, pasi kjo mund të jetë e rëndësishme të dihet kur vendoset spirale.

Kush nuk duhet të përdorë spirale?

Një spirale mund të mos jetë e përshtatshme për ju nëse:

  • Mendoni se jeni shtatzënë;
  • Keni një infeksion seksualisht të transmetueshëm të patrajtuar;
  • Keni/keni pasur inflamacion të legenit;
  • Keni probleme me mitrën ose qafën e mitrës;
  • Keni gjakderdhje me origjinë të panjohur ndërmjet dy periodave ose pas marrëdhënieve seksuale;
  • Keni pasur një shtatzëni ektopike;
  • Keni/keni pasur gjendje të caktuara shëndetësore (kardiovaskulare ose të lidhura me mëlçinë).
A është i detyrueshëm konsultimi me mjek?

Po. Ju duhet të konsultoheni me gjinekologun ose mjekun e familjes për të përcaktuar nëse mund të përdorni fare spiralen.
Spiralen e vendos një specialist-gjinekolog.

A mund ta përdor në kombinim me një kontraceptiv tjetër?

Meqenëse nuk mbron nga infeksionet seksualisht të transmetueshme, mund të përdoret lirisht në kombinim me një prezervativ.
Por nuk ka nevojë të përdoret në kombinim me një tjetër kontraceptiv që mbron vetëm nga shtatzënia e paplanifikuar.

Kur mund të vendos një spirale?

Në cilëndo ditë të ciklit menstrual. Për të filluar përdorimin e saj, është e rëndësishme të siguroheni që nuk jeni shtatzënë.
Spiralet e bakrit dhe argjendit mbrojnë menjëherë nga shtatzënia. Poashtu, mund të përdoren edhe si kontracepsion emergjent.

Spiralja hormonale mbron nga shtatzënia menjëherë nëse e vendosni në 7 ditët e para të ciklit. Nëse e futni në një periudhë tjetër të muajit, gjatë 7 ditëve të para duhet të përdorni një metodë tjetër kontracepsioni (p.sh. prezervativ).

Si vendoset spiralja?

Spiralja vendoset brenda mitrës. Atë e bën vetëm një profesionist (specialist-gjinekolog). Mund të vendoset në cilëndo ditë të ciklit tuaj menstrual, për sa kohë që nuk jeni shtatzënë.

Para se t’jua vendosë, gjinekologu do t’ju ekzaminojë dhe mund t’ju duhet të testoheni për infeksione seksualisht të transmetueshme. Nëse rezultatet e testit janë pozitive, do t’ju duhet të merrni terapi.

E gjithë procedura zgjat 15-20 minuta. Gjatë vendosjes dhe më pas mund të ndjeni shqetësime dhe madje dhimbje që mund të lehtësohen me qetësues. Është mirë që të konsultoheni me gjinekologun tuaj për këtë përpara se të filloni.

Sa shpesh duhet të shkoj për një ekzaminim?

Zakonisht, 3-6 javë pas vendosjes së spirales duhet të shkoni për një ekzaminim pasues, në mënyrë që mjeku të kontrollojë nëse gjithçka është në rregull. Mos ngurroni t’i tregoni atij nëse keni ndonjë problem ose nëse dëshironi që ai të heqë spiralen.

Nëse nuk keni ndonjë problem, atëherë nuk ka nevojë për ekzaminime të mëtejshme, përveç ekzaminimeve të rregullta gjinekologjike që duhet t’i bëni pavarësisht nëse keni spirale.

Kam vënë një spirale, por ndjej dhimbje. Çfarë duhet të bëj?

Dhimbja në pjesën e poshtme të barkut mund të jetë shenjë e një infeksioni seksualisht të transmetueshëm të patrajtuar. Mund të ndodhë gjithashtu një rrjedhje e pazakontë vaginale me një erë të çuditshme ose temperaturë të lartë. Nëse është kështu, shkoni te gjinekologu amë për një ekzaminim sa më shpejt të jetë e mundur.

A nuk do të bjerë?

Jo, por mund të zhvendoset. Gjatë instalimit, gjinekologu do t’ju tregojë se si të kontrolloni nëse është në vend. Në muajin e parë pas instalimit, këshillohet që të kontrollohet disa herë, dhe më pas, pas çdo menstruacioni.

Spiralja ka dy fije të holla që dalin nga mitra. Nëse dëshironi të siguroheni që është në vend, kontrolloni duke u përpjekur të prekni fijet e spirales me gishtin tregues dhe të mesëm. Mos i tërhiqni poshtë. Nëse nuk mund t’i ndjeni, shkoni te gjinekologu amë sa më shpejt të jetë e mundur.
Deri në ekzaminim, përdorni një lloj tjetër kontracepsioni (p.sh. prezervativ) sepse kur nuk vendoset siç duhet, spiralja nuk ju mbron nga shtatzënia.

Kur dhe si hiqet spiralja?

Spiralja juaj mund të hiqet në çdo kohë – përsëri, vetëm nga një profesionist.

Nëse nuk po e zëvendësoni spiralen e vjetër me një të re – dhe nuk dëshironi të mbeteni shtatzënë – përdorni një metodë shtesë kontracepsioni (p.sh. një prezervativ) shtatë ditë përpara se të hiqni spiralen. Pse? Për shkak se spermatozoidet në spermë mund të mbijetojnë nga 72 orë deri në 5 ditë në trup dhe të shkaktojnë shtatzëni pas heqjes së spirales – me prezervativ i pengoni ata të hyjnë në mitër.

Fertiliteti juaj kthehet menjëherë pas heqjes së spirales. Nëse dëshironi një spirale të re, gjinekologu mund ta vendosë atë menjëherë pas heqjes të së vjetrës.

Sa kohë mund të përdoret?

Spiralja mbron nga shtatzënia e paplanifikuar menjëherë pas vendosjes dhe mund të qëndrojë në mitër për 5-10 vjet nëse është prej bakri, apo 3-5 vjet nëse është hormonale, pa pasur nevojë për zëvendësim (kjo varet nga prodhuesi). Nëse vendosni një spirale në moshën 40 vjeç ose më vonë, ajo mund t’ju mbrojë në mënyrë efektive deri në menopauzë.

A mund të përdor tampona nëse kam një spirale?

Po, me atë që mund t’ju duhet t’i shmangni ato menjëherë pas marrjes së një spiralje. Por në planin afatgjatë mund të përdorni edhe tampona edhe një filxhan menstrual. Vetëm kini kujdes që të mos i tërhiqni fijet nga spiralja kur i hiqni.

Po sikur të mendoj se jam shtatzënë?

Spiralja është një metodë kontracepsioni jashtëzakonisht efektive, kështu që shanset për shtatzëni janë vërtet shumë të vogla.

Por nëse ndodh që të jeni shtatzënë, ekziston një rrezik i vogël që shtatzënia të jetë ektopike (në vend që të jetë brenda mitrës, veza e fekonduar implantohet jashtë saj, zakonisht në vezë-përçuesin). Nëse dyshoni se jeni shtatzënë dhe/ose keni dhimbje të papritura dhe të pazakonta në pjesën e poshtme të barkut, shkoni menjëherë për një ekzaminim. Nëse mbeteni shtatzënë gjatë përdorimit të spirales, duhet patjetër të konsultoheni me një profesionist. Nëse është një shtatzëni e hershme, zakonisht këshillohet të hiqet spiralja.

Po sikur të dua të mbetem shtatzënë?

Në këtë rast, shkoni te gjinekologu dhe kërkoni që të heqë spiralen. Ju do të jeni në gjendje të mbeteni shtatzënë menjëherë. Dhe sigurisht, kërkoni këshilla nga gjinekologu juaj për të gjitha zakonet e shëndetshme dhe kujdesin e nevojshëm për një shtatzëni të shëndetshme dhe të rregullt. Nëse vetëm dëshironi të ndaloni përdorimin e spirales, mos harroni të përdorni një kontraceptiv tjetër (p.sh. një prezervativ).

Kohët e fundit kam lindur. A mund të përdor një spirale?

Zakonisht, një spirale vendoset 8 deri në 12 javë pas lindjes. Pra, deri atëherë përdorni një metodë tjetër kontracepsioni.
Spiralja mund të përdoret lirisht gjatë ushqyerjes me gji – nuk ndikon në cilësinë ose sasinë e qumështit.

A mund të vendos spirale pas një aborti?

Është e mundur nëse aborti ka ndodhur në 24 javët e para të shtatzënisë.

A është e vërtetë që spiralja prej bakri mund të përdoret si kontracepsion urgjent?

Po, spiralja prej bakri mund të përdoret njësoj si pilula “për ditën më pas”. Duhet të futet jo më vonë se 5 ditë pas seksit të pambrojtur/pasi kontraceptivi i përdorur ka dështuar.

A mund të përdor spirale nëse marr ilaçe?

Po. Ilaçet nuk ndikojnë në efektivitetin e spirales.

A mund të vendos spirale nëse jam nën 18 vjeç?

Ju duhet të shkoni rregullisht për një ekzaminim tek një gjinekolog që do t’ju monitorojë. Për të zgjedhur një gjinekolog amë, duhet pëlqimi i prindit ose kujdestarit. Përndryshe, spiralja zakonisht nuk rekomandohet si metodë kontracepsioni nëse nuk keni lindur.

Scroll to Top